
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka ofruar Kosovës ndihmë në lidhje me krizën e energjisë elektrike.
Kryeministri Rama, ka kërkuar nga Ministria e Energjisë e Shqipërisë që të shikohen se cilat janë mundësitë që mund t’i ofrojë kjo ministri për t’i siguruar rrymë Kosovës në natën e Vitit të Ri.
“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjetike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës,që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve!”, ka shkruar Rama në Twitter.

Ilustrim
“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjitike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi!”, shkruan Rama./Insajderi.com