Në Kroaci për momentin janë 442 të sëmurë nga koronavirusi, 22 persona janë shëruar, derisa një pacient ka humbur jetën, ka publikuar mbrëmë Shtabi Kombëtar i Mbrojtjes Civile.

Drejtori i Entit për Shëndetin Publik Krunosllav Capak ka thënë në një konferencë për gazetarë në Zagreb se ekspertiza patologjike e burrit të moshuar i cili kishte vdekur në Istri, ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është COVID-19. Ky është viktima e parë e koronavirusit në këtë vend.
Sa i përket të sëmurëve, Capak ka thënë se deri të mërkurën janë konfirmuar edhe 24 raste të reja, gjegjësisht për 24 orë janë gjithsej 60 raste.
Ai ka thënë se këto nuk janë të dhëna të këqija duke marrë parasysh se të shtunën janë konfirmuar 78 raste të reja, dhe se tani ky numër është më i vogël.
Prej gjithsej 442 të sëmurëve, më së shumti janë në Zagreb, 202 persona.
Drejtoresha e Klinikës Infektive të Zagrebit Alemka Markotiq ka thënë se deri të mërkurën para dite nuk është rritur numri i pacientëve në respiratorë, ata janë gjithsej 10, por se njëri prej të sëmurëve është në gjendje të keqe.
“Shpresojmë se do ta përmirësojmë gjendjen e tij”, ka thënë Markotiq.
Ministri i shëndetësisë Villi Berosh ka thënë se prej dhjetë pacientëve të cilët janë në respiratorë, 7 janë në Zagreb, 2 në Osjek dhe 1 në Rijekë.
Mosha e tyre mesatare është 61 vjeç./Insajderi.com.