Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” ka reaguar pas publikimit të raportit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, duke kërkuar sqarime shtesë për mostrat e ujit të cilat janë marrë, njofton Insajderi.
Që nga e shtuna e 10 korrikut, mbi një mijë e 500 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, për shkak të dyshimeve se janë helmuar nga uji i pijes.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” nuk do të ketë më në menaxhim Deçanin.
Kjo pasi që Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se në mostrat e ujit të marra me datë 12 korrik nga rajoni i Deçanit, janë identifikuar disa bakterie që mund të japin indikacion për kontaminimin e ujit të pijshëm.
Nga ky institut po ashtu janë dhënë 10 rekomandime, për të cilat nga KRU ‘Hidrodrini’ thonë se kanë urdhëruar të gjitha Njësitë Operative të Zonës së Mbulueshmërisë që të fillojnë implementimin e tyre.
“Për hir të sqarimit të opinionit, bëjmë me dije se rekomandimet në fjalë nga ana e IKSHPK-së, nuk na kanë arritur zyrtarisht por vetëm i kemi marrë nga Media. Ne lusim IKSHPK-në, që të ofrojë sqarime shtesë se cilat mostra të ujit janë marrë, pra a bëhet fjalë për mostra nga sistemi i KRU ‘Hidrodrini’ dhe inkurajojmë që mostra të merren edhe në bunare (puse), nëse nuk janë marrë, e të cilat përdoren nga banorët vet”, thuhet në reagimin e ujësjellësit.
Tutje, bëhet e ditur se “KRU ‘Hidrodrini’ ka ngritur menjëherë pasdite, tre ekipe specifike profesionale siç janë;
- Ekipi i kualitetit të ujit në të gjitha pikat e kontrollit, (ku do të ri-kontrollohet për klorinim).
- Ekipi i kontrollit dhe identifikimit të bunareve të cilat janë kyçur paralelisht në sistemin tonë.
- Ekipi i inspektimit të gropave septike apo të ndonje rrjeti të ujërave fekal”./Insajderi.com