KRU “Prishtina” mashtroi dhe dëmtoi financiarisht afër 1000 qytetarë

KRU “Prishtina” mashtroi dhe dëmtoi financiarisht afër 1000 qytetarë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” i kishte sugjeruar konsumatorët që të paguanin 50 euro për kyçje në rrjet vitin e kaluar, edhe pse taksa administrative për kyçje ishte zvogëluar në vetëm 5 euro.

Të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), bëjnë me dije se 865 konsumatorë të KRU “Prishtina” janë kyçur në rrjetin e ujësjellësit në vitin 2016, duke paguar 45 euro më shumë sesa ishte e paraparë me ligj, raporton Insajderi.

Në pajtim me Ligjin e ri, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rregullativ të Ujit (ARrH) me një urdhëresë gjatë vitit të kaluar kishte zbritur taksën administrative për kyçje në rrjet nga 50€ në 5€ dhe kishte larguar gjobën prej 100 eruove për kyçje ilegale.

Edhe pas këtyre akteve, nga raportet e inspeksionit të ARrU-së, Auditori Gjeneral ka dëshmi se si KRU “Prishtina” dëmtoi financiarisht qytetarët e rajonit të Prishtinës, raporton Insajderi.

“KRU ‘Prishtina’ kishte aplikuar taksën administrative për kyçje në vlerë 50€ tek 865 konsumatorë, KRU ‘Bifurkacioni’ te 197 konsumatorë, dhe KRU ‘Mitrovica’ tek 30 konsumatorë. ARrU kishte kërkuar nga KRU-të që të bëjnë ri-imbursimin e këtyre konsumatorëve por përmbushja e kësaj kërkese ende nuk ishte konfirmuar”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Madje, KRU “Prishtina” kishte ngarkuar 99 konsumatorët me gjobë 100€ për kyçje. Por, pas rekomandimit nga ARrU ishte bërë korrigjimi te 79 konsumator duke aplikuar zbritje nga borxhi i përgjithshëm, ndërsa te 20 konsumator ende nuk ishin bërë korrigjime.

“Drejtori i Përgjithshëm kishe dërguar paralajmërimet paraprake ndaj KRU-ve por ende nuk ishin arritur rezultatet e pritura”, thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral.

Sipas ZKA-së, aplikimi i gabuar i taksave dhe tarifave për shërbimet e ujit nga KRU-të rezulton me dëmtime financiare për qytetarët dhe me shkelje të së drejtës së konsumatorëve. /Insajderi.com