Kryediplomati i Gjermanisë: Në mesin e viktimave të aksidentit në Kroaci është edhe një gjerman

Kryediplomati i Gjermanisë: Në mesin e viktimave të aksidentit në Kroaci është edhe një gjerman

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Heiko Maas, ka njoftuar se në mesin e viktimave të aksidentit në Kroaci është edhe një gjerman, njofton Insajderi.

Maas tha se ekipet e ministrisë që drejton janë në kontakt me Kosovën dhe Kroacinë për të ndihmuar të mbijetuarit.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, kryediplomati gjerman shtoi se sikurse në Kosovë dhe Kroaci, edhe Gjermania po mban zi për viktimat e aksidentit të rëndë të autobusit që ndodhi në mëngjesin e së dielës.

“Së bashku me shokët tanë në Kosovë dhe Kroaci ne mbajmë zi për viktimat e aksidentit të tmerrshëm të autobusit. Ekipet tona janë në kontakt të ngushtë për të ndihmuar të mbijetuarit. Ne tani kemi lajmin e trishtuar se në mesin e të vdekurve është edhe një gjerman”, ka shkruar ai.

10 persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në aksidentin tragjik të autobusit me targa të Kosovës, që po vinte nga Frankfurti në Prishtinë.

15 të lënduar po vazhdojnë të trajtohen në spital, dy nga ta janë në mjekim intensive – ndërsa një tjetër në gjendje të rëndë shëndetësore. /Insajderi.com