
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili sot po zhvillon një vizitë zyrtare në Prishtinë, njofton Insajderi.
Në këtë takim, të dy palët kanë shprehur gatishmërinë që të thellohet bashkëpunimi edhe më tej, posaçërisht në sferën e ekonomisë dhe turizmit.
Ministri Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut do të qëndrojë krah Kosovës në rrugën e saj evropiane, duke shprehur mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE.
“Në këtë kontekst, ai ka kundërshtuar idetë për rivizatimit të kufijve, duke theksuar se Marrëveshja e Ohrit, pavarësia e Kosovës dhe perspektiva euroatlantike e rajonit janë treguar modele të suksesshme”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Nga ana tjetër, presidentja Osmani ka ritheksuar se skenarë të tillë duhet ta parandalohen bashkërisht.
“Nuk pranojmë ide që prekin kufijtë tanë dhe e bëjnë Kosovën jofunksionale”, ka theksuar Presidentja Osmani. /Insajderi.com