Kryediplomati serb: Jemi të gatshëm për zgjidhje kompromisi me Kosovën

Kryediplomati serb: Jemi të gatshëm për zgjidhje kompromisi me Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, ka thënë se “Beogradi është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi me Prishtinën”.

“Ky pozicion është shumë i qartë – ne jemi të përkushtuar ndaj dialogut me Prishtinën dhe nuk shohim një mënyrë tjetër racionale për të gjetur një zgjidhje për çështjen e Kosovës,” tha Selakoviç në një konferencë për media pas vizitës zyrtare në Austri.

Por, ai shtoi se nuk “heqin dorë” nga Kosova për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

“A dini për një rast të një vendi kandidat që duhej të bënte diçka të ngjashme për t’u bërë një anëtar i BE?”, pyeti ai.

Selakoviq, vazhdoi duke e ritheksuar qëndrimin zyrtar të Beograd, duke e atribuuar Kosovën si “pjesë të Serbisë”.

“Kosova nuk është vetëm një provincë jugore sipas Kushtetutës së Serbisë, por gjithashtu në bazë të Rezolutës 1244 të Kombet e Bashkuara. Serbia u bashkua me Kombet e Bashkuara me kufijtë e saj, të cilat përfshijnë Kosovën, dhe ne jemi një anëtar i Kombeve të Bashkuara”.

Kjo vizitë e kryediplomatit serb në Vjenë, vjen vetëm një ditë para takimit të Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Më 19 korrik në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, për herë të dytë do të takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. /Insajderi.com