Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën sesi po i referohet Serbisë, njofton Insajderi.
Partia e Albin Kurtin në letrën e urimit dërguar presidentit në ardhje, Joe Biden, theksohet emërtimi ‘Republika e Serbisë’ kur flitet për çështjen e dialogut me ‘Republikën e Kosovës’.
“Është e papranueshme se si institucione të caktuara të Republikës së Kosovës dhe parti politike parlamentare, përdorin termin “Republikë” kur i referohen Serbisë – dhe atë madje edhe në shkresa zyrtare e publike. Me këtë rast i bëj thirrje edhe Kuvendit të Kosovës, e me theks të veçantë grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që kur thërrasin interpelanca, të mos e përdorin emërtimin e ashtuquajtur “Republika e Serbisë”, e as kur shkruajnë letra ndërkombëtare siç qe rasti mbrëmë me publikimin e letrës dërguar Presidentit të zgjedhur Amerikan Biden ku i referohej Serbisë si Republikë”, tha ajo.
Krye-diplomatja nëpërmjet një postimi në Facebook kërkoi nga të gjitha delegacionet e Kosovës që të respektojnë simbolet e Kosovës kur paraqiten në ngjarje ndërkombëtare.
“Përfaqësuesit e Kosovës, e kanë për obligim që çdo përpjekje të kujtdo qofte, që synon ta prezantoj në nivel më të ulët shtetin tonë, të mos e pranojnë dhe ta theksojnë faktin se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik i qytetarëve të saj”, theksoi Haradinaj në Facebook. /Insajderi.com