Kryediplomatja: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi është alarmante

Kryediplomatja: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Serbi është alarmante

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla, ka pritur sot në një takim, anëtarin e Këshillit Komunal të Medvegjës, Muharrem Salihu me të cilin kanë biseduar për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Sot pata nderin e veçantë të takoja Z. Muharrem Salihu, anëtar i Këshillit Komunal të Medvegjës, ndërmarrës dhe patriot i dalluar. Dëgjova me interes të lartë dëshminë e Salihut mbi gjendjen e shqiptarëve në jug të Serbisë dhe problemet e tyre të jashtëzakonshme me shpopullimin e mungesën e të drejtave kombëtare”, ka thënë ministrja.

Ministrja e jashtme ka thënë se angazhimi i Salihut është një shembull se si të gjithë duhet ta ndihmojmë Luginën.

“Z. Salihu përveç angazhimit të tij politik në Medvegjë, e diplomatik për gjithë Luginën, është edhe një biznesmen i shquar i cili po investon fuqishëm në industrinë e tekstilit për zonën, me qëllim ofrimin e mundësive për të jetuar, punuar e rritur profesionalisht, për të gjithë shqiptarët në Serbi, veçanërisht në jug. Angazhimi i tij patriotik është shembulli më i mirë për të gjithë ne, se si mund ta ndihmojmë Luginën e njëri-tjetrin”, tha Haradinaj.

Kryediplomatja Haradinaj ka theksuar se me Salihu kanë diskutuar në veçanti për çështjen e pasivizimit të adresave shqiptare nga autoritetet e Serbisë, duke thënë se ky është një shqetësim i përbashkët.

“Diskutuam për projektet e përbashkëta të ardhshme si lidhja rrugore Kosovë-Medvegjë, dhe trajtuam shqetësimin e përbashkët për çështjen e pasivizimit të adresave shqiptare nga autoritetet e Serbisë. I përcolla Z. Salihu angazhimin e përbashkët me Shqipërinë me firmosjen e Marrëveshjes për ngritjen e fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës, zotim ky i cili është hapi i parë për të ndihmuar konkretisht bashkëkombësit tanë në Luginë”, përfundoi ajo. /Insajderi.com