Kryediplomatja suedeze: Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë prioritet dialogun

Kryediplomatja suedeze: Kosova dhe Serbia duhet ta bëjnë prioritet dialogun

Ministrja e Punëve të Jashtme e Suedisë, Ann Linde, thotë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është rruga që çon përpara për të dyja palët, njofton Insajderi.

Kështu është deklaruar ajo me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter, derisa bëri të ditur se është takuar me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Linde thotë se si Kosova ashtu edhe Serbia duhet ta bëjnë dialogun prioritet.

“Një diskutim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Mirosllav Lajçak, për dialogun Beograd – Prishtinë të ndihmuar nga BE-ja. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është rruga që çon para. Dy shtetet duhet ta bëjnë prioritet dialogun”, ka shkruar Ann Linde në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë ka përsëritur se dialogu nuk është në krye të prioriteteve të tij dhe se është diku në vend të katërt në listë, derisa më vonë ka njoftuar se në tryezën e dialogut nuk mund të ulet deri në qershor. /Insajderi.com