Kryeinspektori i ministrisë intervistohet nga policia – arrestimi lidhet me një vendim që kishte nënshkruar vite më parë

Kryeinspektori i ministrisë intervistohet nga policia – arrestimi lidhet me një vendim që kishte nënshkruar vite më parë

Bedri Halimi, kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i cili u arrestua të enjten gjatë operacionit të koduar “Brezovica”, është duke u intervistuar nga Policia e Kosovës në departamentin e krimeve të rënda.

Bashkë me Halimin, gjatë operacionit janë arrestuar edhe gjashtë persona të tjerë – njëri prej të cilëve është po ashtu zyrtar në MMPHI.

Zyrtarët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, ndërsa pesë qytetarët dyshohen për dhënie të ryshfetit.

Arrestohet Bedri Halimi, kryeinspektori i MMPHI-së

Sipas burimeve të Shqip.com brenda PK-së, arrestimi i Halimit u bë për shkak të një vendimi që ishte shfuqizuar në kohën kur Dardan Gashi ishte në krye të MMPHI-së dhe që kishte të bënte me kompetencat e mbikëqyrjes direkte të zonës së Brezovicës.

Vendimi për të cilin bëhet fjalë, nuk figuron në faqen zyrtare të MMPHI-së.

Bedri Halimi bashkë me katër inspektorë të tjerë të Komunës së Prizrenit, në maj të vitit 2021 janë liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Këta pesë persona, sipas Prokurorisë Speciale, akuzohen për lejimin e ndërtimeve pa leje në zonën e Parkut Nacional të Sharrit në Prizren.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi, akuzohej se “duke punuar si Kryeinspektor i Inspektoratit të MMPHI-së, kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’ në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me Vendimin e Ministrit të MMPHI-së, Nr.34/13, të datës 15.11.2013”.

Me këtë vendim urdhërohej rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në këtë park.

Por, gjithnjë sipas aktakuzës, Halimi edhe pse e kishte hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, nuk e kishte përmbushur.

Pesë të pandehurit u liruan nga akuza ngaqë me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të provohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin sipas aktakuzës./Insajderi.com