Kryekuvendarja shqiptare: Këshilli i Evropës mbetet i paplotë derisa të pranojë Kosovën

Kryekuvendarja shqiptare: Këshilli i Evropës mbetet i paplotë derisa të pranojë Kosovën

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, thotë se Këshilli i Evropës do të mbetet i paplotë derisa ta pranojë Kosovën, transmeton Insajderi.com.

Kështu u shpreh ajo derisa mori fjalën në konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtarë të Këshillit të Evropës, në Athinë.

Nikolla më tej vuri theksin në kontinentin evropian si kontinent i asimetrive dhe në dallimin midis vlerave që qëndrojnë në themel të Këshillit të Evropës dhe qëndrimeve kundërshtuese të disa vendeve anëtare të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Apeli i saj ishte që vlerat që mbron e zhvillon organizata e madhe pan-evropiane, Këshilli i Evropës, janë të pa garantuara, për sa kohë që Ballkani Perëndimor do të mbetet jashtë dyerve të BE dhe Kosova jashtë Këshillit të Evropës.

Kryekuvendarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla

“Këshilli i Evropës do të mbetet i paplotë, derisa të pranojë Kosovën, shtetin më të ri të Evropës, një shtet i ri, i krijuar nga Evropa atlantike, bashkë me aleatët strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ajo.

“Asimetria tjetër lidhet me gjendjen e sotme në Bashkimin Evropian dhe ngurrimet në hapat e zgjerimit. Po hyjmë në dekadën e katërt të valës së demokratizimit në kontinent dhe kufijtë gjeografikë e kulturorë të Evropës, janë ende larg kufijve politikë të saj, Bashkimit Evropian. Në emër të së ardhmes së përbashkët të qytetarëve të saj, Evropa duhet të afrojë kufijtë politikë me kufijtë e saj gjeografikë”, theksoi Nikolla.

“Ne po mbajmë radhën para portave të BE-së, e cila duhej të ishte prej kohësh, edhe shtëpia e jonë. Duhet ta kuptojmë të gjithë se Ballkani Perëndimor është një vlerë e shtuar dhe jo një problem i shtuar i Bashkimit Evropian”, nënvizoi Nikolla. /Insajderi.com