Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka deklaruar disa minuta pas përfundimit të procesit të votimit se projeksionet e selisë së saj tregojnë për një fitore të opozitës.
Ajo u shpreh se sipas projeksioneve të LSI-së, partia e saj do të ketë 28-30 mandate, ndërkohë që në total opozita e bashkuar shkon nga 85 deri në 90 mandate gjithsej.
“Tashmë që të gjitha qendrat e votimit po mbyllen përfundimisht, ka pasur një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, mbi 1,7 milionë votues. Ajo që dua të theksoj është që asnjë ndjenjë euforie nuk duhet t’i kapi të gjithë. Komisionerët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të opozitës, po kështu të gjitha strukturat të bëjnë gati numëruesit, në mënyrë të tillë që procesi të shkojë deri në fund”.
“Nuk duhet të lëshojmë asnjë milimetër, por përkundrazi ta çojmë procesin deri në fund, sepse çdo moment, çdo sekondë, është ajo që e çon Shqipërinë drejt Evropës. Numrat që janë tregojnë për një fitore të jashtëzakonshme të opozitës. Sot të paktën në projeksionet e LSI-së, opozita e bashkuar ka nga 85-90 mandate, ku forcë e parë dhe e padiskutueshme është Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim them që ka nga 28-30 mandate në kutitë e votimit, në të cilat shqiptarët kanë votuar sot”, tha Kryemadhi./Insajderi.com