Kryeministri dhe kryetari i Deçanit dakordohen që punimet e rrugës Deçan-Plavë të pezullohen

Kryeministri dhe kryetari i Deçanit dakordohen që punimet e rrugës Deçan-Plavë të pezullohen

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar me kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj, për të diskutuar në lidhje me rrugën Deçan-Plavë.

Para disa ditësh, kryetari i Deçanit kishte deklaruar se rruga Plavë-Deçan do të bëhet, pasi Qeveria Hoti kishte marrë vendim për një pezullim.

Por, pas takimit ata u dakorduan se projekti do të pezullohet.

“Duke e vlerësuar edhe një herë rëndësinë e rrugës që lidh Deçanin me Plavën, përkatësisht Republikën e Kosovës me Republikën e Malit të Zi, kryeministri Hoti ritheksoi se duhet të respektohet legjislacioni në fuqi i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por, po ashtu, duhet të kihet parasysh edhe rëndësia e kësaj rruge për ekonominë dhe cilësinë e jetës së banorëve të Komunës së Deçanit dhe më gjerë. Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të dakorduar me të gjitha palët e përfshira në këtë çështje, kryeministri Hoti dhe kryetari Ramosaj u pajtuan që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit”, thuhet në komunikatën për media.

Për këtë ka shkruar edhe kryeministri, Avdullah Hoti, në një positm në Facebook, duke thënë se ka gjetur pajtim me Ramosajn.

“Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të dakorduar me të gjitha palët e përfshira në këtë çështje, u pajtuam që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila përshkon një pjesë të zonës së mbrojtur pranë Manastirit të Deçanit”, tha Hoti.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, kishte reaguar për ndërtimin e kësaj rruge, duke thënë se rrezikon zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit.  /Insajderi.com/