Kryeministri Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e Javës së Krenarisë të shtunën duke thënë se Kosova është e gatshme ti pranojë dhe respektojë të drejtat e komunitetit LGBTI por ende nuk e di nëse do të marrë pjesë në aktivitetin përmbyllës të kësaj jave, Parada e Krenarisë.
Parada e Krenarisë së komunitetit LGBT do të mbahet të martën duke filluar në orën 11:30 në Sheshin Skënderbeu dhe do të vazhdojë nëpër sheshin Nëna Terezë deri tek Sheshi Zahir Pajaziti.
Insajderi e kishte pyetur zyrën e Kryeministrit qysh me 5 tetor nëse Ramush Haradinaj do të merrte pjesë në Paradë por përgjigja e tyre ishte se krejt kjo do të varet nga agjenda e kryeministrit.
E njëjta përgjigje është dhënë edhe një natë para se të mbahet Parada. Zyra e Kryeministrit ka thënë se agjenda e kryeministrit për të marten ende nuk është finale dhe kësisoj pjesëmarrja e tij do të varet nga agjenda.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Halil Matoshi, pjesëmarrja e kryeministrit ende nuk është e sigurt shkaku i agjendës porse është e sigurt se dikush nga kabineti i tij do të marrë pjesë në Paradën e Krenarisë.
“Varet nga agjenda por dikush nga kabineti qeveritar do të marrë pjesë”, ka thënë Matoshi për Insajderin.
Kur është pyetur se çka është planifikuar për Haradinajn ndërmjet orës 11:30 deri në 12:30, Matoshi nuk ka dhënë përgjigje. Ai as nuk ka treguar se cila do të jetë agjenda e kryeministrit, por duket të jetë tepër e zënë me takime spontane./Insajderi.com