Kryeministri Ramush Haradinaj ishte bërë temë mediale pasi në shtator të vitit 2015 kishte përdorur një fjalë fyese për komunitetin LGBTI pasi kryesuesin e atëhershëm të Komisionit për Shënjimin e Kufirit, Murat Mehën, e kishte quajtur “peder”.
Haradinaj kërkoi falje pikërisht atë ditë duke thënë se “cilësimi që i kishte bërë Mehës s’ka të bëjë me fjalor diskriminues ndaj asnjë kategorie njerëzore, e as ndaj komunitetit LGBT”.
Ngjarja kishte ndodhur në diskutimet e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend, ku diskutohej për demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje kjo të cilën Haradinaj e kundërshtonte.
Dy vite pas, Haradinaj si kryeministër i vendit është duke u përballur ende me demarkacionin me Malin e Zi, duke mos hequr dorë nga pretendimet e tija se Kosova humbë territor nga kjo marrëveshje.
E në të njëjtën kohë, dy organizata për mbrojtjen e të drejtave të LGBTI-së në Kosovë kanë vendosur që për herë të parë në Kosovë, ta mbajnë Paradën e Krenarisë në Kosovë e cila do të mbahet me 10 tetor.
Insajderi ka pyetur Zyrën e Kryeministrit nëse Haradinaj do të marrë pjesë në këtë Paradë. Halil Matoshi zëdhënës i kryeministrit i tha Insajderit se pjesëmarrja e Haradinajt nuk është ende e sigurtë.
“Ju informojnë nesër. Varet nga agjenda”, ka thënë Matoshi.
Por, e sigurt është pjesëmarrja e Haradinajt në një ngjarje të Javës së Krenarisë e cila do të nisë nesër. Kryeministri do të marrë pjesë në hapjen e kësaj Jave që do të përmbyllet me paradën.
Të premten pasdite në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, sipas agjendës zyrtare, Java e Krenarisë do të hapet zyrtarisht me një pritje në të cilën sipas organizatorëve do të marrin pjesë “akterë të institucioneve të ndryshme dhe pjestarë të shoqërisë civile”.
“Kryeministri është i ftuar në hapjen e Javës së krenarisë, nesër me 6 tetor dhe do të mbajë një fjalë rasti”, ka thënë Matoshi për Insajderin.
Java e Krenarisë do të vazhdojë edhe me aktivitete të tjera dhe do të mbyllet me paradën, pjesëmarrjen në të cilën, kryeministri ende nuk e ka të konfirmuar.
Në Serbi, Parada e Krenarisë së komunitetit LGBTI u mbajt me praninë e kryeministres serbe, Ana Bernabiq, e cila është edhe deklaruar si lesbike duke e bërë Serbinë vendin e parë në rajon që emëron një pjesëtare të komunitetit LGBTI në krye të Qeverisë./Insajderi.com