Kryeministri Hoti në mbledhjen komemorative të gazetarit Sulejman Gashi: Ishte ndër më të zgjedhurit e kohës së tij

Kryeministri Hoti në mbledhjen komemorative të gazetarit Sulejman Gashi: Ishte ndër më të zgjedhurit e kohës së tij

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në mbledhjen komemorative për gazetarin Sulejman Gashi, ka ngritur lart jetën dhe veprën e të ndjerit, njofton Insajderi.

Hoti tha se publicist i njohur do të mbetet çdoherë frymëzim edhe për të rinjtë që ndjekin rrugën e gazetarisë.

”Disa njerëz janë të paracaktuar, të krijojnë  vepra mbresëlënëse dhe kujtime të mira për të gjithë. Dhe kur ndahen nga kjo botë, sigurisht krijojnë zbrazëti të madhe edhe për familjen edhe për miqtë e ngushtë por edhe për shoqërinë”.

”Syla ishte ndër më të zgjedhurit e kohës së tij. Ai ishte emri i njohur i gazetarisë në Prishtinë, veçmas në RTP, e më vonë edhe Korrespodent i RTK-së nga SHBA”, tha tutje Hoti.

”Ai i takonte brezit të gazetarëve, intelektualëve të një kohe specifike për Kosovën që morën mbi vete një barrën e rrugëtimit të shtetit tonë të pavarur”.

”Do të kujtohet gjithmonë me profesionalizmin e tij. Ai do të mbetet përherë një frymëzim dhe shembull për brezat e rinj. Zëri i tij do të jehojë përherë në kujtesën tonë si i fuqishëm”, përfundoi Hoti. /Insajderi.com