Kryeministri Hoti njoftohet me ambasadorin e ri gjerman, flasin për dialogun dhe për investime

Kryeministri Hoti njoftohet me ambasadorin e ri gjerman, flasin për dialogun dhe për investime

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, priti sot në takim njohës ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, njofton Insajderi

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrisë, nëpërmjet një njoftimi për media.

Hoti e uroi ambasadorin për detyrën e re, duke theksuar se Gjermania mbetet një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës, thekson njoftimi.

“Duke e falënderuar ambasadorin Rohde për ndihmën e përhershme që Gjermania i ka dhënë Kosovës, kryeministri Hoti ritheksoi qëndrimin e palëkundshëm të Qeverisë së Kosovës për ta thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.

“Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, kryeministri Hoti ripohoi qëndrimin e prerë të Republikës së Kosovës se është koha për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në mes të dy vendeve, e cila në thelb duhet të përmbajë njohjen reciproke”, bën të ditur Kryeministria.

“Ndërsa, ambasadori gjerman Jörn Rohde, ndër të tjera, ka shprehur shpresën për një përparim të shpejtë në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë dhe ka theksuar se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për menaxhimin  e pandemisë dhe të rimëkëmbjes ekonomike. Po ashtu, ai shtroi edhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik në mes të kompanive private, duke pohuar gatishmërinë gjermane për investime në vendin tonë”, përfundon njoftimi./Insajderi.com