Kryeministri i Malit të Zi: S’do ta kisha njohur Kosovën, por rrëzohet Qeveria nëse e tërheqim vendimin tani

Kryeministri i Malit të Zi: S’do ta kisha njohur Kosovën, por rrëzohet Qeveria nëse e tërheqim vendimin tani

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, deklaroi se nuk do ta njihte pavarësinë e Kosovës nëse do të kishte qenë kryeministër në kohën kur Mali i Zi veçse e ka njohur pavarësinë e këtij vendi, transmeton Insajderi.

Siç raporton e përditshmja serbe, ‘B92’, Krivokapiq tha se nuk do të pajtohej me një gjë të tillë po të ishte aso kohe në krye të Qeverisë, e që tashmë ka mbaruar gjithçka dhe ai nuk ka në dorë asgjë sa i përket kësaj çështje.

“Nëse do të isha Kryeministri i Malit të Zi në një situatë kur Mali i Zi ende nuk e ka njohur Kosovën, unë kurrë nuk do të isha dakord me të. Por gjithçka ka mbaruar para se të vij në qeveri edhe para kësaj qeverie”, shprehet Krivokapiq.

Madje, ai shton se nëse do të merrej një vendim për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, Qeveria do të “binte” në seancën e parë parlamentare.

“DPS do të bënte gjithçka për të ri-formuar qeverinë dhe për të marrë përsëri të njëjtin vendim për Kosovën. Gjithçka tjetër është një imagjinatë e bazuar në dëshira,” tha Krivokapiq.

Duke folur për çështjen e Kosovës se si shihet në Mal të Zi, Krivokapiq deklaron se çështja e Kosmetit është një çështje emocionale për një pjesë të popullatës, të cilët besojnë se është një pjesë e patjetërsueshme e Serbisë.

“Kjo pjesë e njerëzve tanë do të mendojnë se pa marrë parasysh çfarë marrëveshje është në fund të Beogradit dhe Prishtinës”, u shpreh Krivokapiq. /Insajderi.com