Kryeministri i përgjigjet protestës së zjarrfikësve përmes njoftimit

Kryeministri i përgjigjet protestës së zjarrfikësve përmes njoftimit

Zjarrfikësit e Kosovës janë duke qëndruar me orë të tëra në diell, para objektit të Qeverisë së Kosovës duke kërkuar një takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn për të zgjedhur, sipas tyre, problemet 10-vjeçare të këtyre punëtorëve.

Por Zyra e Kryeministrit ka zgjedhë që t’u përgjigjet atyre përmes një njoftimi për media, duke thënë se e ka ndjekur me vëmendje protestën e tyre.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndjekur me vëmendje protestën e zjarrfikësve të Kosovës dhe ka angazhuar përfaqësuesit e saj që të sqarojnë për ta, vullnetin e Qeverisë për ta zgjidhur problemin e tyre”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Haradinaj është i pari që ka iniciuar nismën për zgjidhjen e statusit të padefinuar të tyre.

“Ju informojmë që për herë të parë në Kosovë, e iniciuar me kërkesën personale të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është ndërmarrë nisma për zgjidhjen e padefinuar të statusit të tyre, përmes krijimit të koncept dokumentit, që më vonë do të bëhet edhe rregullore e punës dhe i cili do të përcaktojë qartë statusin e zjarrfikëseve në Kosovë”, thuhet më tej në njoftim.

Kjo rregullore, sipas Zyrës së Kryeministrit, do të përfshijë edhe shumicën e kërkesave që zjarrfikësit kanë, përmes komisionit i cili po punon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Është e rëndësishme të njoftohet opinioni, por edhe zjarrfikësit, që një pjesë e kërkesave të tyre kanë të bëjnë me Komunat, nga të cilat menaxhohen dhe vetëm përmes nismës tonë, konfuziteti se kujt i takojnë në menaxhim dhe në paga, do të sqarohet, përmes ligjit”, sqarohet më aty.

“Definimi i statusit të zjarrfikësve do të jetë zgjidhja e vetme dhe afatgjate për ta dhe këtë rrugë është duke e ndjekur Qeveria e Kosovës dhe për këtë janë njoftuar edhe drejtuesit e zjarrfikësve të Kosovës”, përfundon njoftimi./Insajderi.com