Kryeministri kërkon hetime e inspektime për gjithçka që ka ndodhur me gylenistët e dëbuar

Kryeministri kërkon hetime e inspektime për gjithçka që ka ndodhur me gylenistët e dëbuar

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar hetime e inspektime për gjithçka që ka ndodhur me dëbimin e gjashtë shtetasve turq në Turqi. Ka thënë se ka kërkuar hetime të gjithanshme për këtë rast të depërtimit të fshehtë të turqve. Këto komente Haradinai i ka bërë në një konferencë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Kemi vendos me kërku hetim në të gjithë mekanizmat e përfshirë, në disa raste është hetim e në disa inspektime, pra në bazë të përgjegjësive të mija.

I kam informu Këshillin e Sigurisë që të bëhet një hetim dhe një raportim me shkrim për zhvillimin e ndalimit, revokimit, dhe depërtimin e shpejtë dhe të fshehtë të shtetasve turq.

Konstatojmë se gjendja e sigurisë në Kosovës është stabile është e qetë, qytetarët mund të ndihen të qetë” ka thënë ai.

Kryeministri shtoi se një aspekt tjetër me rendësi është se ka kërkuar që të mos befasohet më Kosova e as vendimmarrësit  që mos të përsëritet një veprim i tillë pa lejen e vendimmarrësve në këtë rast kryetarit të qeverisë. Tha se ka një dakordim nga të gjithë.