Kryeministri i kundërvihet gjykatës, ndan 1 milion euro për rrymën në veri

As vendimi i gjyqit dhe as një raport e padi e Avokatit të Popullit nuk e kanë ndalur Kryeministrin Ramush Haradinaj që me paratë e arkës së shtetit të ndajë 1 milion euro për qytetarët e pjesës veriore që nuk e paguajnë energjinë elektrike të shpenzuar nga ta.

Kryeministri i kundërvihet gjykatës, ndan 1 milion euro për rrymën në veri

Kryeministri Ramush Haradinaj i është vënë kundër një vendimi të fundit që ka marrë Gjykata Themelore në Prishtinë që pezulloi faturimin e shpenzimeve të rrymës në veri qytetarëve të pjesëve tjera të Kosovës.

Në mbledhjen e së hënës të Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që të ndahen 1 milion euro për KOSTT-in, para të cilat do të shfrytëzohen për mbulimin e shpenzimeve të energjisë për komunat veriore.

Kryeministrit Haradinaj gjatë fjalës së tij para kabinetit qeveritar tha se KOSTT rrezikon të përjashtohet nga organizatat evropiane, raporton kallxo.com.

“Jemi në pritje të përmbylljes së marrëveshjes për konektivitetin edhe për regjistrimin e operatoreve në veri edhe për filmin e pagesave të qytetarëve në veri, mirëpo kanë ndodhur devijime të shumta, pra mungesa në rrejt edhe KOSTT-i është i rrezikuar për përjashtime në mënyrë ë ta sanojmë një proces të tillë jam i detyrum të ndërhymë, është një vendim i përkohshëm por si i tillë e ruan funksionalitetin tonë të rrjetit tonë dhe na mundëson me mbet në tavolinë për të fituar të drejtën tonë si operator në rrjetin e operatorëve në transmisionit në Evropë”, citohet të ketë thënë Haradinaj gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë.

Insajderi.com ka bërë përpjekje për ta kontaktuar Qeverinë për të marrë një koment nga ta, por të njëjtit ende nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Në fund të viti të kaluar Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës e pati pezulluar ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Kjo erdhi pas një padie që kishte bërë Zyra e Avokatit të Popullit kundër vendimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji të datës 06 shkurt 2012 që obligonte që energjia e shpenzuar nga pjesa verior e që nuk paguhej, të faturohej mbi pjesën tjetër të qytetarëve kosovarë me çka kompania turke e angazhuar për distribuim të energjisë do të kishte fitime të njëjta, edhe po të dështonte në inkasimin e faturave.