Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se qeveria që udhëheq qëndron prapa deklarimeve që kishte bërë në kohën kur ishte në opozitë, lidhur me çështjen e menaxhimit të Liqenit të Ujmanit, njofton Insajderi.
“Ne qëndrojmë prapa qëndrimeve tona që i kemi thënë deri më tani, ndërkaq raportin më i ri që ka dalë duhet ta lexojnë ekspertët tanë profesionistë, dhe nuk mendoj që duhet t’i bëjmë tre hapa përnjëherë. Dialogu do të ketë kapitull të ri, tri hapa përnjëherë si bëjmë dot”, u shpreh Kurti para gazetarëve gjatë vizitës që ia bëri Muzeut Kombëtar të Kosovës të premten.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dorëzuar Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që ishte pjesë e Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Me këtë marrëveshje synohej përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi. Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Kosovë thuhet se raporti i Departamentit Amerikan të Energjisë, propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që gjendet në pjesën veriore të Kosovës që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore.
Vetëvendosje, e udhëhequr nga Kurti, sa ishte në opozitë pati kundërshtuar Marëveshjen e Ëashingtonit, që ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti. Atë kohë Vetëvendosje pati deklaruar se për Ujmanin nuk ka nevojë të flitet me Serbinë./Insajderi.com