“Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”.
Kështu ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për sa i përket aksionit të sotëm të Njësiteve të Policisë së Kosovës në pikat kufitare Kosovë-Serbi.
Këto komente, Kurti i bëri gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, në seancën e parë pas kthimit nga pushimet verore.
“Si kryeministër iu siguroj se veprimet në veri për, nuk janë drejtuar ndaj qytetarëve serb e as nuk ka të bëjë me ndonjë destabilizim”.
“Ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot për zbatimin e kësaj marrëveshje për lëvizje të lirë, nuk i kufizon lëvizjen e lirë qytetarëve serbë. Pres nga të gjithë qytetarët ta kuptojnë drejt, sot po fillon një zbatim i marrëveshje që është pajtuar Serbia me Bashkimin Evropian”.
Kreu i Ekzekutivit kosovar ka një kërkesë edhe për serbët e Kosovës.
“I lus qytetarët serbë të vazhdojnë përditshmërinë pa frikë se po iu cenohet ndonjë e drejtë. Ju jeni të barabartë me ne. Targat nuk janë dëshirë e jona por imponim nga pala tjetër. Derisa qytetarët tanë do të paguajnë për targa kur futen në Serbi, do të vazhdojnë edhe targat e përkohshme kur hyjnë në Kosovë”, pohoi Kurti.
Mëngjesin e së hënës, Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës u pozicionuan në disa pika kufitare me Serbinë.
Siç njoftoi edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ky aksion ka të bëjë me reciprocitetin e targave. /Insajderi.com