Kryeministri Kurti uron Slloveninë në 30 vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri Kurti uron Slloveninë në 30 vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar Slloveninë në 30 vjetorin e Pavarësisë, shkruan Insajderi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti thotë se në këtë ditë feste për Slloveninë, kujtohet  ‘shembulli që kemi marrë gjithnjë nga ta për kulturën e punës dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Kurti më tej, ka thënë së Sllovenia paraqet model suksesi jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, për jetën e zhvilluar sociale që shkon krahas me zhvillimin ekonomik.

“25 qershori shënon ditën e shtetësisë së Sllovenisë, vendit tonë mik që u shkëput e para nga Jugosllavia. Ky vit është jubilar sepse shënohet përvjetori i tridhjetë i pavarësimit të vendit.  Populli dhe shteti slloven ishin të vendosur në ecjen e tyre drejt shkëputjes nga ish Jugosllavia. Në anën tjetër, akti i 25 qershorit 1991 është pandashëm i lidhur me referendumin e 23 dhjetorit 1990 në të cilin afro 90% e popullit slloven votuan që Sllovenia të bëhet shtet sovran dhe i pavarur”, ka deklaruar ai.

Kryeministri ka shtuar së në këtë ditë feste për Slloveninë kujtojmë jo vetëm raportet historikisht të mira ndërmjet dy vendeve e popujve tanë, por edhe shembullin që kemi marrë gjithnjë nga ta.

“Në 30 vjetorin e Pavarësisë, urojmë sllovenët, shtetin dhe udhëheqësit e tyre: Vse najboljše, Slovenija!”, ka shkruar Kurti. /Insajderi.com