Kryeministri maqedonas Zaev, shkakton “tërmet” me deklaratat e tij

Kryeministri maqedonas Zaev, shkakton “tërmet” me deklaratat e tij

“Nuk ka maqedonas që nuk ndihet i turpëruar nga intervista e fundit e kryeministrit të republikë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaevit”.

Kështu vlerëson lideri i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, përmes rrjetit social Facebook.

Për këtë ai bënë thirrje për protesta, pasi siç thotë vendi gjendet në moment historik, ku sipas tij ose duhet treguar që meritojmë shtet ose do të zhdukemi.

“Nëse Zaev i shpall okupatorët si çlirimtarë, atëherë antifashistët maqedonas – partizanët që janë çlirimtarët e vërtetë, Zaev i bën okupatorë, dhe meqenëse lufta antifashiste dhe Çlirimtare e Popullit, si dhe lufta e Ilindenit bazohet në shtetësinë maqedonase, atëherë rezulton se Zaev po heq dorë nga shtetësia maqedonase”, tha Mickoski.

Intervista e djeshme e kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, shkaktoi reagime jo vetëm tek opozita, por me reagime dolën edhe bashkëpartiakët e Zaevit.

Zëvendës kryeministri për Çështje Evropiane në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, theksoi se Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë parasheh që historia t’i lihet historianëve, ndërsa politikanët të merren me të tashmen dhe të ardhmen.

Ish-presidenti i këtij vendi dhe ish-kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, ka njoftuar se do ta ngrijë anëtarësinë e tij në parti në shenjë revolte ndaj deklaratëve të liderit aktual, Zoran Zaev, lidhur me kontestin me Bullgarinë.

Cërvenkovski i ka nisur një deklaratë publike për partinë që ka themeluar, duke ju kërkuar kryesisë që të mblidhen urgjentisht dhe të distancohen nga deklaratat e Zaevit.

Ai ka thënë thënë se për një kohë të gjatë nuk ka qenë i pranishëm në opinion me qëllim që të mos dëmtojë partinë, por thotë se kjo deklaratë ka dëmtuar edhe shtetin edhe partinë.

Një ditë pas intervistës për median bullgare, intervistë kjo që shkaktoi reagime të shumta e të ashpëra në opinion, kryeministri Zoran Zaev shpreh keqardhje. Ai deklaroi se është plotësisht i vetëdijshëm për emocionet e fuqishme negative që ka shkaktuar dhe thotë se të njëjtat i di dhe i kupton detajisht.

Një ditë më parë Zaev për Agjencinë Bullgare BGNES deklaroi se Goce Dellçevi është revolucionar i cili ka luftuar edhe për bullgarët edhe për maqedonasit. Bullgarët sipas tij nuk janë fashistë por janë miq të Maqedonisë së Veriut. /Insajderi.com