
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dënon ashpër sulmin terrorist që ndodhi në Stamboll në orët e para të vitit 2017, ku mbetën të vdekur dhjetëra njerëz dhe shumë të tjerë u plagosën.
“Me këtë rast, kryeministri shpreh dhimbjen e pikëllimin e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për viktimat, duke përcjellë ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, për Qeverinë turke dhe vendet tjera të prekura nga ky sulm”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, thekson se këto akte dëshmojnë se terrorizmi po vazhdon të godasë pa mëshirë, duke mos zgjedhur mjete, me qëllim që të rrezikojë vlerat e botës demokratike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është plotësisht e përkushtuar që të vazhdojë kontributin e saj maksimal në angazhimet e botës demokratike kundër çdo forme të terrorizmit, të cilat cenojnë vlerat tona të përbashkëta dhe vënë në rrezik jetën e njerëzve të pafajshëm”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Isa Mustafa./Insajderi.com