“Kryeministri nuk e realizoi planin qeverisës”

“Kryeministri nuk e realizoi planin qeverisës”

Në raportin e monitorimit të organizatës joqeveritare Fol, e cila është marrë me monitoronim e kabinetit qeveritar, ka dalë se Zyra e Kryeministrit nuk e ka realizuar planin e punës. Njëjtë kanë vepruar edhe disa ministri. Për dallim prej tyre, janë pak ministri të cilat e kanë realizuar planin vjetor të punës për gjashtëmujorin e parë.

“Zyra e Kryeministrit për periudhën e parë gjashtëmujore kishte paraparë të realizojë 17 aktivitete në kuadër të Planit Vjetor, nga të cilat 10 janë realizuar, ndërkaq 7 kanë mbetur të parealizuara”, thuhet në të gjeturat e Lëvizjes FOL.

“Ministria e Integrimit Evropian – për periudhën e parë gjashtëmujore ka paraparë 10 aktivitete 7 nga to kanë mbetur të parealizuara”, thuhet në raportin e FOL.

Gjendje të ngjashme është paraqitur edhe në Ministrinë e Drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë – nga 19 aktivitete të parapara për periudhën e parë gjashtëmujore ka realizuar vetëm 4 prej tyre”, thuhet më tej aty.

Për dallim prej Ministrive të lartpërmendura, Ministria e Financave i ka realizuar aktivitetet e parapara.

“Ministria e Financave – për periudhën e parë gjashtëmujore ka paraparë 4 aktivitete të cilat janë realizuar në afatin e paraparë”, vazhdon raporti.

Nuk ka dalë keq as Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik – nga 6 aktivitete të parapara vetëm një ka mbetur pa realizuar për gjashtëmujorin e parë 2018”, vlerëson raporti.

Gjithashtu, MFSK-ja ka realizuar aktivitetet e parapara.

“Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës – ka realizuar 3 aktivitetet e parapara në planin njëvjeçar”.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – në periudhën e parë gjashtëmujore kishte planifikuar 20 aktivitete dhe kanë mbetur të parealizuara 12 nga to.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – në planin e punës kishte paraparë të realizoj 24 aktivitete nga të cilat i ka mbetur vetëm 1 e parealizuar.

Ministria e Punëve të Brendshme – në periudhën e parë gjashtë mujore ka planifikuar 14 aktivitete ka përfunduar 9, ndërkaq kanë mbetur të pa përfunduara 5 nga to.

Ministria e Punëve të Jashtme – në gjashtë mujorin e parë ka planifikuar 2 aktivitete, të cilat kanë mbetur të parealizuara në afatin e paraparë.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – ministria në fjalë të gjitha aktivitetet e parapara në planin Vjetor të punës së qeverisë për vitin 2018 ka planifikuar ti realizoj në dhjetor 2018.

Ministria për Komunitete dhe Kthim – ka realizuar të gjitha aktivitetet e parapara për periudhën e parë gjashtë mujore.

Ministria e Shëndetësisë – në kuadër të planit të punës ka realizuar 3 aktivitete, nga 15 sa ishin të parapara.

Ministria e Administratës Publike – ka planifikuar 16 aktivitete, vetëm 3 nga to kanë mbetur të parealizuara për periudhën e parë gjashtë mujore.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – ka realizuar 7 aktivitete nga 11 sa kishte planifikuar.

Ministria e Infrastrukturës – ka planifikuar 5 aktivitete në planin e punës të cilat kanë mbetur të papërfunduara sipas afatit të përcaktuar.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural –nga 11 aktivitete të planifikuara kanë mbetur të parealizuara 7 nga to.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – kishte paraparë 15, nga të cilat 9 kanë mbetur të parealizuara.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike – ka përfunduar 12 aktivitete nga 15 sa kishte paraparë në planin Vjetor të punës.

Ministria e Zhvillimit Rajonal- ka realizuar 7 aktivitete nga 8 të parapara për periudhën e parë gjashtë mujore.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë – s’ka paraparë asnjë aktivitet për periudhën e janar-qershor 2018.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – nuk janë përgjigjur në kërkesën e dërguar nga Lëvizja FOL.

Lëvizja FOL ka thënë se disa nga ministritë kanë dhënë sqarime shtesë për të gjitha aktivitetet që nuk kanë arritur të përfundojnë sipas afatit të paraparë në planin vjetor të punës.