Kryeministri paralajmëron mësimdhënësit për orët e humbura – ka një mesazh për SBASHK-un

Kryeministri paralajmëron mësimdhënësit për orët e humbura – ka një mesazh për SBASHK-un

Edhe sot, në shkollat e Republikës së Kosovës ka vazhduar greva e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës. SBAShK u ka bërë thirrje kryetarëve të komunave dhe drejtorive arsimore që mos të bëjnë presion për thyerje të grevës. Ndërkohë që kryeministri i vendit. Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që mësimi të rifillojë qysh nesër, duke bërë të ditur që kërkesa të tilla po merr edhe nga prindërit dhe nxënësit.

Në Kosovë sot është shënuar dita e shtatë e grevës në arsim që po mbahet në të gjitha komunat, përjashtuar shkollën “Heronjët e Dukagjinit “ në Gllogjan.

Për të parë videon, klikoni këtu: VIDEO

Gjatë ditës së sotme  kryetari i SBASHK-ut,  Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtor vizitoi grevistët në komunën e Pejës,  dhe Këshillin Grevist në Deçan për të biseduar nga afër me ta për gjendjen në këtë komunë.

Vizita grevistëve iu bënë edhe në Prishtinë nga anëtarët tjerë të Këshillit Qendror Grevist në çerdhen “Xixëllonjat” në Prishtinë, ku biseduan për ofertën e ofruar nga qeveria si dhe vendimin që ka marrë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut në takimin e djeshëm.

Ndërkohë, kryeministri i vendit, para gazetarëve sot tha se me vendimin që kanë marrë, kanë bërë një rritje substanciale e pagës.

Ai ftoi mësimdhënësit që të rifillojnë mësimin.

“Orët e humbura duhet të kompensohen”, ka thënë Haradinaj.

Nga data 14 janar SBAShK ka hyrë në grevë të përgjithshme me kërkesën e vetme; rritja e koeficientit të pagave të mësimdhënësve të arsimit prej 30 për qind.

Dy ditë më parë, qeveria ka ofruar 20 milionë euro në vit më shumë për pagat në këtë fushë. Megjithatë, SBAShK po vazhdon me grevën, që siç janë deklaruar ata, do të zgjasë deri në realizimin e kërkesës për rritje të koeficientit.