Kryeministri që çoi në humbje partinë e tij, thotë se Veseli duhet t’i vuaj pasojat e dështimit të “Fillimit të Ri”

Kryeministri që çoi në humbje partinë e tij, thotë se Veseli duhet t’i vuaj pasojat e dështimit të “Fillimit të Ri”

Kryeministri në ikje, Isa Mustafa, i cili me partinë e tij LDK dhe bashkë me AKR-në dhe Alternativa si koalicion LAA dolën të tretët në zgjedhjet e 11 qershorit, ka kërkuar nga shefi i PDK-së, Kadri Veseli të bartë pasojat e humbjes.

PDK në koalicion me AAK-në e NSIMA-n plus mbi 10 parti të vogla, dolën të parët si koalicion PAN duke fituar 34 deputetë.

“Në këtë shoqëri, secili duhet të bartë pasojat e veprimeve të veta”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai shkroi se “Fillimi i Ri i PDK-së dështoi” duke përdorur edhe një thënie se “Çdo fillim i ri fillon në fund të një fillimi të vjetër”.

“Ky fillim i PDK-së, që ishte mohim i vetvetes, nuk e pat as fatin e kësaj të vërtete shkencore. Numrat, për të cilët ka dalë në gjueti Koalicioni PAN, janë gëlltitje e kritikave se qeverisja nuk bazohet në numra”, ka shkruar Mustafa.

Ai më pas ka folur për edhe për atë sesi PAN nuk ka mundësi dhe nuk ka legjitimitet ta krijojë Qeverinë.

“Në fakt qeverisja bazohet në njerëz, por votat janë numra. PAN nuk i ka as votat e as njerëzit. Në zgjedhje ka marrë përkrahjen e çerekut të votuesve, kurse çereku i votave nuk paraqet kurrfarë shumice për të pretenduar për t’i bërë institucionet”, ka shkruar Mustafa.