Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi në emisionin “Debat”, në RTK se Kosova duhet të ketë diskutime të brendshme të hapura me shoqërinë civile dhe politikën për dialogun. Sipas tij, duhet të ekzistojë një tryezë diskutimi e vazhdueshme ku për çdo temë të ketë diskutime, nëse jemi duke biseduar me fqinjtë, pse të mos kemi diskutime të brendshme më të gjithë aktërët. “Dialogu duhet të ndodh edhe pse historia është tragjike”.
Kosova Haradinaj tha se nuk guxon të ketë dialog vetëm për lidershipin, por dialogu duhet të bëhet edhe për popullin dhe dialogu i brendshëm është i rëndësishëm shumë. Presidenti Hashim Thaçi sipas tij, është në detyrë brenda kushtetutës, por duhet gjithsesi dialog i brendshëm.
Ai tha se partnerët ndërkombëtarë e kanë dobësuar Kosovën në dialog, kur dihet se Serbia ka ecur përpara në statusin e kandidatëve, ndërkaq Kosova ka ngecur në këtë drejtim.
“Nuk mundesh të kesh dialog me një vend që njëri vazhdon me procese e tjetri të ngec. Partnerët ndërkombëtar duhet të na ndihmojnë në procese dhe në planin ndërkombëtar”.
Sa i përket ministrit Rikallo, Haradinaj tha se ju ka drejtuar organeve kompetente të cilat nuk kanë gjetur asgjë sa i përket atij, pra sipas tij, kjo është bërë për motive tjera. Ai tha se u tentua edhe me largimin e njerëzve nga Kosova, por nuk u arrit.
Ndërkaq për Listën Serbe se a do ta votojë ushtrinë, Haradinaj tha se nuk kanë diskutuar me ata për këtë çështje, po ashtu as për Asociacionin e Komunave. “Nuk kam fare marrëveshje të nënshkruara me Listën Serbe asnjë “germë”, por më kanë thënë se marrëveshjen e kanë bërë me mua se nuk do i gënjej”.
Sa i përket punës nga ana e punëtorëve që janë me kontratë, ai tha se do kërkojë me përpikëri t’i zbatojnë të gjitha rregullat dhe kërkesat e qytetarëve të realizohen. Haradinaj tha se nuk do të lejojë që ata për punën që thirren ta neglizhojnë atë.
Ai tha se sot ishte në policinë e Kosovës dhe ka kërkuar nga ata që të jenë të vëmendshëm, sepse nëse ndodh që në shkolla të arrijë droga pra te fëmijët, dikush do të japë llogari.
Për raportet me opozitën, Haradinaj tha se është i hapur me të gjithë dhe punën që bënë buron nga Kushtetuta e vendit dhe e zbaton atë, ku i raporton Kuvendit, presidentit dhe të gjithë ata që janë të hapur do të komunikoj me ta.
Sa i përket fushatës zgjedhore ai tha se shkon vetëm në mbrëmje në takime të tilla dhe tha se nuk e shfrytëzon asnjë veturë apo diçka shtetërore as ai dhe asnjë punëtor tjetër në qeveri, ndërkaq beson se partia e tij do të ketë rritje në këto zgjedhje.
Për çështjen e interpolit Haradinaj tha se për çdo çështje Kosova ka pasur Komision ndërministror, ndërkaq vetëm për interpolin nuk ka pasur, pra sipas tij, nuk ka ditur kush çka po ndodh dhe kjo është arsyeja që e ka shtyrë për vitin tjetër.
Haradinaj tregoi edhe për vizitën e tij në Shqipëri ku tha se do të shkojë në mëngjes dhe do të kthehet në mbrëmje dhe se në atë takim do të diskutohen shumë tema.