Kryeministri tregon “informacionet sekrete” me të cilat e shkarkoi Bordin e Agjencisë për Akreditim

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë kishte refuzuar t'i përgjigjet kërkesës së EQAR-it për shkarkimin e bordit të AKA-së. Në përgjigjen e kësaj ministrie thuhet se kryeministri kishte 'informacione sekrete" për punën e bordit, pa i sqaruar ato. Por Haradinaj në seancën e sotme i ka dhënë një epitet Blerim Rexhës për të cilin nuk ka prezantuar fakte.

Kryeministri tregon “informacionet sekrete” me të cilat e shkarkoi Bordin e Agjencisë për Akreditim

Njëri ndër vendimet e para që Ramush Haradinaj e kishte marrë si kryeministër i vendit kishte qenë shkarkimi i Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim. Ky vendim i Haradinajt i ka kushtuar Kosovës me përjashtim nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë (European Quality Assurance Register for Higher Education – EQAR).

Kryeministri Haradinaj kishte mbajtur sekret arsyen e shkarkimit të këtij bordi. Madje EQAR-i kishte kërkuar nga Ministria e Arsimit shpjegim përse ky bord ishte shkarkuar. Lidhur me këtë çështje EQAR dhe ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, kishin shkëmbyer disa letra me anë të së cilës, në njërën anë kërkohej të shpjegohej arsyeja përse u shkarkua ky bord dhe në anën tjetër jepeshin disa arsyeje përse bordi i AKA-së u shkarkua.

Insajderi kishte raportuar javën e kaluar se ky komunikim mes EQAR dhe MASHT-it kishte filluar me 28 shtator të vitit të kaluar. Ish-kryetari i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha i kishte dërguar një letër EQAR-it, ku kishte thënë se përmes mediave kishte marrë vesh se kryeministri Haradinaj ka kërkuar shkarkimin e tyre.

Menjëherë me 5 tetor të vitit të kaluar, EQAR i kërkon sqarim MASHT-it për arsyen e shkarkimit të Bordit të Agjencisë së Akreditimit, letër kjo që ishte nënshkruar nga Karl Dittrich, presidenti i EQAR-it.

Në këtë letër ai  kërkonte sqarim për arsyet e shkarkimit, pasi ata ishin në dijeni vetëm se janë shkarkuar për shkak të “disa parregullsive” në punën e Agjencisë së Akreditimit.

Një javë më vonë MASHT i kthen një përgjigje EQAR-it, duke lënë një paqartësi. Ministria e drejtuar nga Shyqyri Bytyqi, sqaronte se urdhri kishte ardhur nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, teksa arsyeja kishte mbetur e pasqaruar.

Aty thuhej se Haradinaj e kishte shkarkuar këtë bord për shkak të disa “informacioneve të klasifikuara” për punën e anëtarëve të bordit.

“Kërkesa për shkarkimin e Bordit të Agjencisë ka ardhur nga Kryeministri, i cili ka pasur qasje në disa informacione të klasifikuara për punën e anëtarëve të bordit”, thuhej në përgjigjen e MASHT-it dhënë EQAR-it.

Por se këto “informacione të klasifikuara” të kryeministrit Ramush Haradinaj nuk kishin qenë të vërteta, i kishte konfirmuar edhe Bekim Samadraxha, ushtrues detyre i drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, i cili po zëvendësonte Fortuna Mehmetit e që ishte në pozitën e ushtrueses së detyrës së drejtores që nga viti 2015 derisa bordi ishte drejtuar nga Blerim Rexha.

Samadrexha e informon EQAR-in se “nuk ka informata që dikush nga anëtarët e shkarkuar të Bordit apo  ish-drejtori i Agjencisë kanë qenë apo janë nën ndonjë hetim ose proces ligjor ashtu sikurse është deklaruar në kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinajt për ta shkarkuar Bordin e Agjencisë për shkak të “parregullsive”.

Por Kuvendi i Kosovës kishte thirrur për sot në interpelancë kryeministrin Haradinajn, pas përjashtimit të Kosovës nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë. Haradinaj nga foltorja e kuvendit ka ofenduar ish-kryetarin e AKA-së, Blerim Rexhën.

Haradinaj zbuloi informacionet e klasifikuara të cilat MASHT-i nuk i tha asnjëherë, madje as për EQAR-in. Kryeministri përderisa tregoi informacionet e klasifikuara e ofendoi Rexhën, duke e quajtur hajdut ordiner.

“Po e them sot se s’janë shkarkuar ata njerëz nga AKA-ja për emrat që kanë, që janë të kësaj apo asaj partie, por janë shkarkuar sepse i kam dëgjuar të gjitha partitë duke u ankuar për gjendjen në arsim. S’ke mundur me hy diku pa e dëgjuar dikë duke thënë se shumë keq është gjendja në arsim, analistë, media, politikanë etj”, tha ai para deputetëve. Nonstop i kemi dëgjuar këto ankesa. U shkarkua bordi, u kthyem në temë, por mos i mundoni fëmijët e Kosovës. Ne i lajmë të gjithë llogaritë politike, por mos i merrni fëmijët në qafë”, ka thënë Haradinaj më herët gjatë seancës së kuvendit.

Haradinaj pa përmendur ndonjë fakt ka thënë se Blerim Rexha është hajdut ordiner.

“Blerim Rexha është hajn ordiner dhe ua them unë pse. Krejt e din që ai ishte i korruptuar, pse po shitni  moral të rrejshëm, unë ju kam thënë që nuk i kam dy fytyra por vetëm një e kam. Pyesni Blerim Rexhën a e kanë lëshuar USAID amerikan mbledhjen vetëm sepse ishte pjesë e bordit”, ka thënë Haradinaj gjatë ditës së sotme në foltoren e kuvendit.

Kosova është përjashtuar nga Regjistri Evropian për Cilësi të Arsimit të Lartë për shkak të këtij vendimi të Haradinajt. Për shkak të këtij përjashtimi studentët kosovarë që kanë diplomuar në Kosovë, diplomat në vendet e Evropës do t’iu njihen me vështirësi./Insajderi.com

“Informacionet sekrete” të kryeminsitrit që quan në përjashtimin e Kosovës nga EQAR