Ndonëse jemi në pritje të kryeministrit të ri pas mbajtjes së zgjedhjeve me 11 qershor i cili ende nuk është i sigurt pasi asnjë koalicion apo parti nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për të formuar Qeverinë, Zyra e Kryeministrit ka bërë disa ndryshime në enterierin e saj.
Zyra e Kryeministrit në të cilën është ende kryeministri në largim Isa Mustafa, ka vendosur që të furnizohet me perde të reja, sipas të gjitha gjasave më të mira në mbrojtje nga dielli, duke pasur parasysh hapësirën në të cilën është e vendosur zyra e të parit të Qeverisë.
Afro 5 mijë euro peshon kontrata që Zyra e Kryeministrit ka lidhur me një kompani nga Mitrovica, për të furnizuar me perde, raporton Insajderi.
Kontrata pritet të nënshkruhet me 30 qershor, atëherë kur edhe pritet që të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit që i hapin edhe zyrtarisht rrugë formimit të Qeverisë dhe zgjidhjes së kryeministrit. /Insajderi.com