Ana Brnabiq tha se është i pafalshëm gabimi i disa mediave në Serbi që po e përcjellin gjatë gjithë kohës djalin e Aleksandër Vuçiq-it. Në këtë mënyrë, sipas saj, ai po ekspozohet ndaj rrezikut potencial.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar se jeta e djalit të presidentit serb, Danilo Vuçiq, është në rrezik, meqë ai po përcjellet gjatë gjithë kohës, njofton Insajderi.
Brnabiq shtoi se është e papranueshme ajo që i ka ndodhur djalit të Aleksandër Vuçiq, duke iu referuar një raportimi të disa ditëve më parë, kur një media në Serbi e kishte fotografuar në një lokal Danilo Vuçiqin.
Vuçiqi i ri ishte parë në një lokal në Beograd në shoqëri të Aleksandër Vidojeviq, një anëtar famëkeq i grupit huligan Janissaries – tifozët e klubit beogradas Partizanit.
Por, këto raportime i ka kritikuar udhëheqësja e qeverisë së Serbisë.
“Të gjithë e dinë se ku është, me kë është, çfarë po bën dhe kjo është një kërcënim serioz i sigurisë”, tha Brnabiq, në një intervistë për televizionin H1.
Ajo shtoi se “fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj ngacmimeve vetëm sepse prindërit e tyre janë politikanë”.
Brnabiq pohoi se reagimi i saj nuk po vjen nga fakti se bëhet fjalë për djalin e presidentit, porse kështu do reagonte edhe nëse do të bëhej fjalë për djalin e ndonjë politikani tjetër, apo çdo të riu në Serbi, të cilit i monitorohet përditshmëria./Insajderi.com