Kryemyftiu i Shqipërisë reagon pas plagosjes së besimtarëve në xhami

Kryemyftiu i Shqipërisë reagon pas plagosjes së besimtarëve në xhami

Kreu i Komunitetit të Myslimanëve Shqiptar, Bujar Spahiu ka reaguar pas incidentit që ndodhi sot (e hënë) në xhaminë ‘Dine Hoxha’, ku një 34-vjeçar ka sulmuar me thikë pesë qytetarë, njofton Insajderi.

Ngjarja ka ndodhur tek rruga e Kavajës rreth orës 14:00, ndërsa sipas policisë, personi që ka kryer këtë sulm është identifikuar si Rudolf Nikolli, i cili më pas është arrestuar.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, kryemyftiu Spahiu u ka bërë thirrje organeve përkatëse që të zbardhet sa më parë e gjithë ngjarja.

Ai tutje ka njoftuar se gjendja e të lënduarve është jashtë rrezikut për jetë.

“Sipas imamit Kalaja dhe besimtarëve dëshmitarë të pranishëm, një person i jashtëm ka hyrë nga rruga në xhami duke plagosur me mjet prerës besimtarët dhe personelin e pranishëm në xhami. Fatmirësisht besimtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën. I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë. Personi është në duart e forcave të rendit. Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani”, ka shkruar Spahiu në Facebook./Insajderi.com