Kryente analiza në laboratorin që ia kishte mbyllur policia, iniciohet rast ndaj pronares

Kryente analiza në laboratorin që ia kishte mbyllur policia, iniciohet rast ndaj pronares

Policia e Kosovës njofton se Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Pejë, ka siguruar informata se një laborator në këtë qytet, i cili ishte mbyllur me 19.08.2021, aty kishte filluar puna duke u kryer analiza laboratorike.

Sipas njoftimit, gjatë trajtimit të rastit, hetuesit policorë kanë kuptuar se pronarja e laboratorit M.Sh., viti i lindjes 1971, shtetase kosovare, kishte paguar një gjobë dhe nga organi kompetent i ishte lejuar hapja e laboratorit vetëm për renovim dhe për të vazhduar procedurat administrativë për licencim.

“Sot, më 07.09.2021, hetuesit policorë së bashku me inspektorë të shëndetësisë, kanë siguruar informata se M.Sh., përsëri kishte filluar të kryente analiza në laborator me licencë të pezulluar dhe pa staf adekuat (biokimist), përfshirë teste për Rapid-Sars COV-2. Ajo, mostrat i kishte dërguar për analizë në një laborator tjetër në Pejë. Inspektorët kanë përpiluar procesverbal mbi të gjeturat dhe me pas e kanë mbyllur laboratorin e të dyshuarës. Po ashtu, policia dhe inspektorët kanë inspektuar edhe laboratorin tjetër ku ishin dërguar mostrat për testim, për të gjeturat edhe këtu është përpiluar procesverbal”, thuhet në njoftimin për media.

Hetuesit policorë e kanë intervistuar të dyshuarën në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas konsultimit me prokurorin, rasti i iniciuar ‘ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’, vazhdohet të trajtohet në procedurë të rregullt./Insajderi.com