Kadri Veseli e ka përfunduar punën si kryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, duke munguar në seancat e Kuvendit, për shkak të angazhimit të tij në fushatën zgjedhore që u parapri me një parafushatë tjetër e njohur me emrin “Turi i dëgjimit” ndërsa e nisi mandatin e ri duke e bërë të njëjtën gjë, veçse tash për zgjedhjet lokale.
Ish-kryeministri Isa Mustafa po bënte tentimet e fundit që të mbrohej nga rrëzimi i Qeverisë nga Kuvendi i Kosovës kur partneri i tij Kadri Veseli kishte dhënë “dorëheqje” nga posti i tij si kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Veseli kishte nisur qysh në shkurt atë që u titullua “turi i dëgjimit” teksa Qeveria u rrëzua në maj me vet votat e disa deputetëve të PDK-së. Turi i tij 30 ditor kishte bërë që ai të mungonte gati në të gjitha seancat e Kuvendit duke u kritikuar edhe nga vet deputetët e Kuvendit për neglizhencë në punën e tij si kryetar i Kuvendit.
Vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe PDK në koalicion me AAK-NISMA-AKR formuan Qeverinë e Kosovës dhe Kadri Veseli zuri përsëri të njëjtën pozitë, kryetar i Kuvendit.
Por bashkë me këtë, po vazhdon edhe zakonin e vjetër, mungesën në seanca për hir të fushatës. Veçse tash ai është angazhuar në fushatën e zgjedhjeve lokale.
Qysh prej zgjedhjes së tij kryetar, në dy seancat e para, Veseli ka qëndruar krejt pak në karrigen e kryetarit të Kuvendit. Në vend të kësaj ka bërë fushatë nëpër komunat e ndryshme të vendit.
Një ditë pas formimit të qeverisë, tri partitë opozitare: Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Alternativa thirrën seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar “parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021”.
Kjo ishte e vetmja seancë në të cilën kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, mori pjesë – nga tri seancat që janë mbajtur në parlament që prej konstituimit të tij. Seancë kjo që zgjati shumë pak, pasi u ndërpre pas vetëm gjysmë ore.
E kur fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale filloi me 21 shtator, Kuvendi i Kosovës nuk mbajti asnjë seancë plenare për dhjetë ditë. Për këtë u kritikua edhe nga shefja e BE-së në Kosovë dhe ambasadori amerikan.
E disa ditë pas këtyre kritikave, Kuvendi i mblodh sërish. Por aty nuk ishte kryetari i saj.
Seanca e dytë që prej konstituimit të Kuvendit të Kosovës, u mbajt më 2 tetor.
Në këtë seancë, kryetari i Partisë Demokratike nuk kreu punën e tij në kuvend, si kryeparlamentar. Ai qëndroi vetëm për disa minuta në parlament, për të dalë nga salla e Kuvendit dhe për t’iu bashkangjitur fushatës me kandidatët e PDK-së nëpër komuna.
Por, para se të dilte nga Kuvendi në seancën e 2 tetorit, ai doli në foltoren e Kuvendit për t’i reaguar akuzave të deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, rreth Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK)
“ShIK-u, ShIK-u, ShIK-u… hajt se kam me ju ngi ShIK në këtë mandat”, tha Veseli, duke iu përgjigjur deputetit të LDK-së Driton Selmanaj, i cili ia përmendi emrin Veselit pak më herët gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit.
E në seancën e fundit të Kuvendit, një ditë më vonë – të mbajtur të martën, Veseli nuk arriti t’i ndante as ato pak minuta që i kishte ndarë të hënën për të qenë i pranishëm në Kuvend. Në anën tjetër, punën e tij si kryeparlamentar po e kryente zv/kryeparlamentari, Xhavit Haliti.
Kur në seancën e sotme, teksa deputetët po flisnin për çështjen e ministrit Nenad Rikallo – i cili është akuzuar nga disa banorë të lagjes Dardania në Prishtinë për maltretim gjatë luftës – Kadri Veseli ndodhej në Ferizaj, ku po bënte fushatë zgjedhore për partinë e tij, PDK.
Të mërkurën është caktuar edhe një seancë tjetër dhe pritet të shihet nëse Veseli do të jetë në krye të detyrës së tij, apo në krye të fushatës zgjedhore nëpër qytetet e tjera./Insajderi.com