Artan Murati, këshilltar i kryeparlamentares, Vjosa Osmanit, ka thënë në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi i Kosovës nuk ka dërguar koment me shkrim për rastin e Etem Arifit.
Etem Arifi kishte votuar Qeverinë Hoti më 3 qershor, por gjatë asaj kohe për të ishte vendosur dënim shkak i “mashtrimeve me subvencione”.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga kushtetuesja që ta sqarojë votën e kontestuar të deputetit i cili tash është i burgosur, njofton Insajderi.
Sipas Muratit menjëherë pasi Kuvendi e ka kuptuar përmes mediave dënimin e deputetit Arifi, kanë filluar adresimin e kësaj çështjeje.
“Kuvendi i Kosovës nuk ka dërguar koment me shkrim në këtë rast por ne qysh kur e kemi marr vesh për çështjen e deputetit Arifi kemi marr hapa për ta adresuar këtë çështje. Më 29 prill kryetarja e Kuvendit është njoftuar përmes mediave për dënimin e deputetit Arifi. Kryetarit të Gjykatës së Apelit Hasan Shalës i ka dërguar letër ku i ka treguar që është njoftuar nga mediat për çështjen e deputetit Etem Arifi dhe i ka kërkuar aktgjykimet të të gjitha instancat për dënimin e z.Arifit. Brenda së njëjtës ditë ato janë siguruar”, tha ai. /Insajderi.com