Kryeprokurori i Mitrovicës kërkon t’i hiqet imuniteti zyrtarit rus që u arrestua në veri

Kryeprokurori i Mitrovicës kërkon t’i hiqet imuniteti zyrtarit rus që u arrestua në veri

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqeri Syla, ka kërkuar nga autoritetet shtetërore që të bëhet kërkesë për heqjen e imunitetit të zyrtarit rus të UNMIK-ut, Mihail Aleksandroviç, i cili u arrestua të martën në veri të Kosovës.

Syla, në një kërkesë zyrtare dërguar udhëheqësit të Protokollit të Shtetit, Orhan Hajrizi dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka kërkuar nga autoritetet shtetërore që ta procedojnë kërkesën për heqjen e imunitetit të Mikhail Aleksandroviçit, edhe tek Përfaqësuesi Special i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

“Ju shkruaj lidhur me rastin e z. Mihail Aleksandroviq, i lindur me atë 17 shkurt 1956 në Moskë, Rusi, punëtor i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), subjekt i procedurës penale pranë Prokurorisë Themelore në Mitrovicë”, i shkruan kryeprokurori Syla, MPJ-së.

Në kërkesën e kryeprokurorit të Mitrovicës, të cilën e ka siguruar Insajderi, bëhet e ditur se prokurori ka filluar hetimet ndaj zyrtarit rus dhe shtatë personave të tjerë për “pëngim të personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

“Më lejoni të ju informojë se me datë 28 maj 2019, kjo prokurori ka filluar hetimet ndaj z. Aleksandroviç, si dhe 7 personave të tjerë që të njëjtit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale: ‘Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’ dhe ‘Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi'”.

“Në pajtim me ligjin për Statusin e Imunitetet dhe Privilegjet e Misioneve Diplomatike, Konsullore dhe Personelin e Kosovës dhe Praninë ndërkombëtare ushtarake si dhe Personelin e saj (LIGJI NR. 03/L-033), me mirësjellje kërkojmë nga Ministria e Punëve të Jashtme, që në pajtim me ligjin e lartcekur konkretisht nenin 7 të këtij ligji i cili parasheh shprehishimisht se imuniteti hiqet me marrëveshje të shpejtë me shkrim nga qeveria e shtetit përkatës dërgues ose baza e organizatës ndërqeveritare, ta procedoni këtë kërkesë tek Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për heqjen e imunitetit të z. Aleksandroviç”, thuhet në kërkesën e kryeprokurorit Syla. /Insajderi.com