Kryeprokurori i Pejës, Agim Kurmehaj ka thënë se janë siguruar filmimet të cilat konfirmojnë vrasjen se 29-vjeçari nga Deçani, Agonis Tetaj, i cili është vrarë të dielën paradite qëllimisht e jo aksidentalisht.
Kurmehaj ka thënë për Insajderin se hetimi do të jetë i përgjegjshëm dhe profesional, dhe se nuk do të ketë ndikim nga askush në hetimin e këtij rasti.
“Sot isha në Prishtinë në një takim, dhe kam kontaktuar me prokuroren kujdestare. Hetimet do të fillojnë për vrasje dhe do të kërkohet masa e paraburgimit. Kamerat janë siguruar. Këto janë informatat fillestare. Sa për presion të “grupeve të caktuara” ju siguroj se nuk kanë, e as që do kenë mundësinë e ndikimit as më të vogël të një hetimi të përgjegjshëm dhe profesional”, ka thënë Kurmehaj.
Policia e Kosovës ndërkohë ka deklaruar se rasti është cilësuar si vrasje dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili është djali i punëdhënësit të Agonis Tetajt.
“Viktima është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, pasi që gjendja e tij ka qenë e rëndë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, por i njëjti sipas ekipit mjekësor ka arritur pa shenja jete”, ka thënë dje zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova. /Insajderi.com
Kamerat dëshmojnë se Agonis Tetaj u vra nga djali i punëdhënësit të tij