fbpx

Prokuroria dyshon se bashkëshorti hodhi gruan nga vetura

Prokuroria dyshon se bashkëshorti hodhi gruan nga vetura

Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala ka konfirmuar se bashkëshorti i gruas nga Suhareka që vdiq sot në QKUK si pasojë e plagëve të marra dy javë më parë kur ishte hedhur nga vetura, është i dyshuar për incidentin që e la të plagosur rëndë bashkëshorten e tij.

Shala, në një prononcim për Insajderin, deklaroi se i dyshuari po mbahet në paraburgim, teksa u shpreh se bëhet fjalë për një “rast të komplikuar”.

“Sa kam informata unë, ne kemi filluar një hetim. Nuk e di nëse është për ‘rrezikim të trafikut publik’ apo tjetër, por di që gruaja ka rënë prej veturës nga dera e prapme ku ka qenë e ulur. Është hap dera dhe në vozitje e sipër ka rënë”, u shpreh fillimisht Kryeprokurori i Prizrenit.

Shala tha se nuk dihet ende saktë çfarë ka ndodhur më 31 maj, kur gruaja nga Suhareka ishte hedhur nga vetura. Tha se Prokuroria Themelore e Prizrenit është duke hetuar edhe të kaluarën e çiftit, raporton Insajderi.

“Njëherë për njëherë nuk dihet saktësisht çfarë ka ndodhur, sepse ne jemi duke e hetuar rastin dhe jemi duke e hetuar të kaluarën e tyre; nëse ka pasur probleme familjare apo bashkëshortore”, u shpreh ai.

“Gruaja ka qenë në QKUK, ka qenë në gjendje koma dhe kësisoj nuk kemi mundur të marrim deklaratë nga ajo. Megjithatë ne jemi duke e hetuar rastin dhe të hënën besoj që do t’i japim kahje hetimeve. Mirëpo, është rast paksa i komplikuar”, tha Shala.

Pas aksidentit që ndodhi më 31 maj, gruas i është dhënë ndihma e parë në spitalin rajonal të Prizrenit, e më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë, ku vdiq pas rreth dy javësh. /Insajderi.com