Kryeprokurori jep detaje rreth hetimeve të vdekjes së Art Kurtit

Kryeprokurori jep detaje rreth hetimeve të vdekjes së Art Kurtit

Telefoni, që është gjetur në trupin e pajetë të Art Kurtit, është dëshmia e vetme që ka në dorë Prokuroria Themelore e Gjakovës për t’i sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në vdekjen e 23-vjeçarit nga Gjakova. Arti, me profesion aktor e që së fundmi punonte si zyrtar komunal në Gjakovë, dyshohet se me një plumb në kokë ia mori jetën vetes

Aktori i njohur, Art Kurti, u gjet i vdekur në orët e para të mëngjesit të së martës në fshatin Goden të Gjakovës. Dyshimet e para janë se Kurti ka bërë vetëvrasje, pasi në afërsi të tij u gjet arma me të cilën dyshohet se e ka goditur veten në kokë.

Trupit të pajetë të aktorit kosovar i është kryer autopsia gjatë ditës së sotme.

Ceremonia e varrimit pritet që të bëhet sot në orët e pasdites. Kështu ka deklaruar për Express kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj.

“Autopsia në trupin e pajetë të Art Kurtit është kryer sot. Trupi u është dorëzuar familjarëve për ceremoninë e varrimit. Për rezultate do të duhet që të presim për disa ditë”, ka thënë Selimaj.