Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka reaguar ndaj deklaratës së ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, pasi ky i fundit tha se vrasja e Agonis Tetajt ka ndodhur nga pakujdesia si dhe ka hedhur Kritika ndaj Lumezit dhe gjyqësorin, njofton Insajderi.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes një komunikate për media ka thënë se Lumezi e respekton mendimin e lirë, “mirëpo kurrsesi nuk pajtohet me konstatimet, interpretimet dhe diskutimet e rastit individual penal nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, pa pasur të dhëna të mjaftueshme dhe të verifikuara me kujdes”.
“Jemi të njoftuar se vendimi i Kryeprokurorit të Shtetit për ricaktimin e kësaj lëndë te një prokuror tjetër nuk është në përputhje me pritshmëritë personale të ish-kryetarit të Gjykatës Supreme, prandaj ai atakon në mënyrë të pabazë institucionin e Prokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatë.
Sa i përket cilësimit dhe ricilësimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia, ZKSH është shprehur se ky cilësim mbetet në kompetencë të prokurorëve të rastit për të vendosur me dispozitat e Kodit Penal dhe provat tjera të mbledhura gjatë fazës së hetimeve, pasi që rasti ende nuk është shpallur i përfunduar në shqyrtim gjyqësor.
“Për më tepër, një konstatim i tillë për një çështje penale nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës për të cilën ende nuk është marrë vendimi gjyqësor përbënë ndërhyrje direkte në punën e Prokurorisë dhe Gjykatës. Prandaj, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të lihen të punojnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale, duke treguar kështu respekt për detyrat që kryhen nga profesionistet e drejtësisë penale”, thuhet tutje në komunikatë.
Sipas Kryeprokurorit, “është e pakuptimtë se si ish-kryetari i Gjykatës Supreme mund të lëshohet dhe të jap mendime se a kemi të bëjmë me vrasje të rëndë apo vrasje nga pakujdesia për një rast kaq të rëndësishëm dhe të ndjeshëm edhe për opinionin publik pa i lexuar dhe shqyrtuar në detaje shkresat e lëndës së këtij rasti?!”.
“Në anën tjetër, nëse ish-kryetari i Gjykatës Supreme kërkon përgjegjësi disiplinore për Kryeprokurorin e Shtetit për ushtrimin e kompetencave ligjore lidhur me ricaktimin e këtij rasti tek një prokuror tjetër, a duhet të kërkohet përgjegjësi etike dhe morale nga ai për sugjerimet profesionale qëllimkëqija dhe në kundërshtim të plotë me faktet dhe dispozitat ligjore për këtë rast?”.
“Nuk mund të pres nga ish-kryetari i Gjykatës Supreme interpretime dhe mendime juridike që nuk përputhën me ligjin për Prokurorin e Shtetit”.
“Nëse ish-Kryetari i Gjykatës Supreme nuk ka qenë i informuar me dispozitat e Ligjit për Prokurorin e Shtetit, dua t’ia përkujtojë se në bazë të nenit 11, paragrafit 2, të këtij ligji, që për shkak të paaftësisë profesionale, neglizhencës apo konfliktit të interesit, Kryeprokurorit të Shtetit i lejohet që në çdo kohë të marrë secilin rast nga cilido prokuror dhe ta ricaktojë atë te një prokuror tjetër me qëllim të zhvillimit efikas të procedurës ose për arsye tjera të rëndësishme”.
“Dua t’ia përkujtojë se Prokurori i Shtetit asnjë vendim nuk e sjellë në bazë të dëshirës dhe pritshmërisë së dikujt por vetëm në bazë të dispozitave ligjore. Si në këtë rast, ashtu edhe në të gjitha rastet tjera, deri sa të jem Kryeprokuror i Shtetit me vendosmëri do të marrë vendime për t’i shërbyer drejtësisë dhe askujt tjetër”, përfundon komunikata./Insajderi.com