Kryeprokurori i Shqipërisë, Adriatik Llalla, është detyruar të largojë fëmijët dhe bashkëshorten shtatzënë nga Shqipëria në një vend aleat, pas kërcënimeve që ka marrë për shkak të hetimit të një dosjeje të fortë kriminale, njofton Top Channel.
Ngjarja daton së paku dy muaj më parë kur në telefonin e kryeprokurorit Adriatik Llalla kanë mbërritur telefonata dhe mesazhe kërcënuese anonime. Burimet i pohojnë Top Channel se kërcënimi ka qënë serioz dhe i drejtpërdrejtë në drejtim të zotit Llalla dhe familjarëve të tij më të afërt.
Të njëjtat burime citojnë gjithashtu gjendjen e shqetësuar të kryeprokurorit, bashkëshortja e të cilit priste dhe pret edhe një fëmijë të tretë. Kryeprokurori ka njoftuar autoritetet qeveritare, Presidentin e Republikës, Shërbimin Informativ dhe më pas janë shtuar masat e sigurisë, qoftë në prokurori, shtëpinë private si dhe eskortat për familjarët, dy fëmijët e tij të cilët janë në shkollë dhe bashkëshorten.
Por të njëjtat burime pohojnë se sërish në drejtim të kryeprokurorit kanë vijuar të vijnë sinjalizime, kryesisht në formë miqësore apo këshillash lidhur me zëra për një hakmarrje të mundshme fizike ndaj tij dhe familjes së tij. Natyra e kërcënimit nuk dihet, por flitet se i ka ardhur për shkak të një dosjeje hetimore ndaj një grupi të supozuar kriminal.
Top Channel ka mësuar se për këtë janë vënë në lëvizje edhe shërbimet partnere dhe ambasadat e huaja në Tiranë, kryesisht ato të Bashkimit Europian, një prej të cilave i ka ofruar kryeprokurorit sistemimin e familjes së tij në këtë vend europian në mënyrë përfundimtare.
Thuhet se pas një reflektimi personal, kryeprokurori ka pranuar këtë zgjidhje. Zhvendosja e familjes së kryeprokurorit tashmë ka ndodhur, përpara fillimit të vitit të ri shkollor. Ata ruajnë identitetin e tyre, por janë në ruajtje të plotë 24 orëshe nga forcat policore të këtij vendi partner dhe banesa e tyre private është vetëm pak kilometra larg stacionit të policisë së vendit përkatës.
Kryeprokurori Llalla thuhet se i viziton rregullisht familjarërt e tij nën masa të rrepta sigurie, pasi bashkëshortja e tij është në pritje të fëmijës së tretë, por pohojnë nivelin e shtuar të stresit të tij personal dhe familjar me përshtatjen e detyruar me jetën e re.
Por Top Channel ka mësuar se sistemimi i familjes së kryeprokurorit nuk do të jetë një masë e përkohshme por e përhershme, duke detyruar njeriun më të rendësishëm të akuzës, të bëjë një jetë personale të vështirë, për shkak të kërcënimeve që ka marrë për shkak të detyrës.