Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës të teknologjisë së informacionit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, qeverisja, menaxhimi i operacioneve dhe siguria e sistemeve, transmeton Insajderi.
Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, ishte ai i cili ka raportuar për këtë raport, duke theksuar se nga 16 gjetjet e auditorit, nëntë prej tyre janë të adresuara e të përfunduara, tri janë në proces, ndërsa katër nuk janë adresuar pasi nuk është kompetencë e ASK-së për adresim.
Berisha theksoi se të gjitha gjetjet e auditorit presin t’i përmbushin deri në vitin e ardhshëm, teksa ka treguar edhe për blerjen e pajisjeve të tekonologjisë informative, si: kompjuterë dhe laptopë për zyrtarët e ASK-së, raporton KP.
Ai po ashtu ka kërkuar mbështetjen institucionale për sigurinë e të dhënave në këtë Agjenci.
Kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, theksoi se forcimi i kapaciteteve në ASK është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm, sipas të cilës siguria e informacionit është ajo që i shqetëson të gjithë.
Ndërsa, zëvendëskryetarja e Komisionit, Arta Bajralija nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se rezultatet e auditimit tregojnë se nuk ka mekanizma të nevojshëm për teknologjinë e informacionit në ASK.
Anëtari i Komisionit Hajdar Beqa nga PDK ka përgëzuar ASK-në për sa i përket përmbushjes së rekomandimeve të Auditorit. /Insajderi.com