Kryeshefi në detyrë i Postës fiton mbi 25 mijë euro në kontestin ndaj Telekomit dhe Postës

Kryeshefi në detyrë i Postës fiton mbi 25 mijë euro në kontestin ndaj Telekomit dhe Postës

Pak ditë para se të merrte pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në Postën e Kosovës, Rafet Jashari e ka fituar në gjykatë një rast ku e kishte paditur institucionin që tashmë drejton.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës do të duhen që në mënyrë solidare t’ia paguajnë Rafet Jasharit 25 mijë e 222 euro.

Këtë shumë, Posta e Kosovës dhe Telekomi janë obliguar që t’ia paguajnë Jasharit në emër të kompensimit për ndryshim të diferencës në pagë për periudhën shtator 2010 – shkurt 2012, si dhe në emër kamatës, kontributeve pensionale, tatimit për Administratën Tatimore të Kosovës dhe shpenzimeve të procedurës kontestimore, raporton Betimi për Drejtësi.

Kundër këtij aktgjykimi, të paditurat në këtë rast, Posta e Kosovës dhe Telekomi kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit brenda shtatë ditësh nga koha kur e kanë pranuar aktgjykimin.

Por, nga Posta e Kosovës nuk kanë treguar nëse do të ankohen në Gjykatën e Apelit ndaj këtij aktgjykimi që gjykata e shkallës së parë ka marrë në favor të tashmë kryeshefit ekzekutiv në detyrë të Postës./Insajderi.com