Kryeshnosh për terroristin

Të shkosh për kryeshnosh për një terrorist nuk është aspak e zakonshme. Por këtë e kanë bërë të afërmit e Ridvan Haqifit që vdiq si komandant shqiptar i organizatës terroriste ISIS në Siri. E pamja për Al Kosovi nuk është e pame e zakonshme. Njashtu sikurse historia e tij e mbushur me plot terror.

Kryeshnosh për terroristin

Një karrige e mbuluar me çarçaf të bardhë me një buqetë me lule të plastikës qëndrojnë para derës së shtëpisë në të cilën dhjetra njerëz hynë e dalin nga aty.

Nuk ka fotografi në karrigen e vendosur si shenjë që aty mbahet e pamja për Ridvan Haqifin, komandantin shqiptar të ISIS-it. Nuk dihet sesi ka vdekur e as nëse përnjëmend ka vdekur ose është vrarë në betejat në Siri, por për familjen historia e humbjes së të birit  nuk përbën rëndësi.

Një rrugicë e ngushtë as dy metra, qysh në mëngjesin e së enjtes në Lagjen e Tetë në Gjilan, një ditë pas vdekjes së një njeriu që dikur kishte qenë anëtar i kësaj lagje, mbizotëronte një qetësi e madhe për dallim nga pjesa tjetër e qytetit.

Të vetmit që nuk e kuptojnë gjithë këtë janë fëmijët. Ata vazhdojnë lojën e tyre.

Mirëpo, në sokakun ku ndodheshin shtëpitë e familjes Haqifi dhe të afërmeve të tyre, shiheshin fytyra të përmalluara. Mbi të gjitha ata janë të acaruar.  Nuk dëshironin të flisnin për media.

“Nuk duam të flasim me gazetarë, ne jemi në një situatë të vështirë”, tha me një zë të ngrysur një burrë rreth të 30-ve, anëtar i familjes Haqifi.

Derisa pjesëtarë të tjerë të familjes së Ridvanit, detyrojnë ekipin e Gazetës Insajderi të largohet nga lagjja.

“Hajt grahni, ikni prej këtu. Të pame ka, po s’keni çfarë kërkoni”, shprehet i acaruar një djalë i ri, pak metra larg shtëpisë së ish-pjesëtarit të ISIS-it.

Ridvan Haqifi (27) u bë pjesë e organizatës terroriste ISIS pasi fillimisht ishte bërë hoxhë në një xhami e cila gjendet jo më shumë se 1 kilometër larg shtëpisë së tij. Gjithçka filloi aty.

xhamia1

Duke shëtitur në rrugët e Lagjes, një burrë i moshuar ishte nisur drejt shtëpisë së familjes Haqifi.

Ai thotë se po shkonte në të pame tek familja Haqifi, për t’i ngushëlluar për vdekjen e djalit të tyre.

“Veç po shkoj me pa te familja Haqifi, pasi e kam pa në internet që ka vdekur. Unë e kam njohur Ridvanin, djalë i mirë u kanë dhe i sjellshëm”, thotë plaku me emrin, Ahmet.

Nga xhamia “El-Kuddus” ku Haqifi mori mësimet e para rreth religjionit, rreth 30 burra – xhemat i xhamisë së lagjes – u nisën drejt shtëpisë së familjes Haqifi. Në mesin e tyre ishte edhe imami i xhamisë “El Kuddus”, Agim Hyseni, i cili ka zëvendësuar imamin e dënuar për terrorizëm Zekirja Qazimin.

“Ne ishim në të pame tek familja, me xhematin e xhamisë. Rreth 30 persona”, u shpreh imami i xhamisë së lagjes.

Hyseni thotë se familja e Ridvan Haqifit, nuk i dha atij informacione rreth vdekjes së djalit të tyre. Ai shprehet se Ridvanin e kishte njohur më parë, kur ishte fëmijë.

“Unë kam qenë në të pame tek familja Haiqifi, por ta them të drejtën nuk kam marrë informacione. Ridvanin e kam njohur, ai ka qenë nxënës i medresesë, por unë e kam njohur kur ka qenë më i vogël, pastaj kur është rritur ai ka qenë zot i vetvetes”, ka thënë Hyseni për Insajderin.

Hoxha i xhamisë “El-Kuddus” shton se vdekja e Haqifit në Shtetin Islamik në Siri dhe Irak është e dhimbshme.

“Sigurisht është një vdekje e dhimbshme, kur një djalë i ri vdes. Në vend se të qëndroj në vendin e vet, dhe me e dhanë një kontribut për familjen e vet, ai ka shku në një luftë të huaj. Unë kur isha sot në familjen e tij, e pash që ata kanë një jetë bajagi të mundimshme në kushte të vështira”, shprehet Hyseni.

krye

Me 4 qershor të vitit 2015, Ridvan Haqifi kishte dalë në një video mesazh si komandant shqiptar i organizatës terroriste ISIS ku paralajmëronte se “ditë të zeza po vijnë” për Kosovën dhe Shqipërinë, por gati dy vjet pas këtij paralajmërimi ditët e zeza erdhën vetëm për të.

Ai u vra të mërkurën në Siri duke luftuar për një organizatë e cila fut terrorin në tërë botën përmes akteve makabre të ekzekutimit dhe vetëvrasjes.

“Vallahi do të vijnë ditë të zeza për juve. Vallahi do të keni frikë të ecni nëpër rrugë”, thoshte Haqifi në një video që ishte publikuar nga seksioni për media i ISIS-it, “Alhayat Media Center”, e në të cilën “luftëtarët ballkanas të ISIS-it” shprehin akuza dhe kërcënime ndaj jobesimtarëve në Ballkan.

Në këtë video që më pas u hoq nga kanali ku ishte publikuar, ai kërcënon duke thënë se “Do të keni frikë të punoni nëpër zyrat e juaja; do të keni frikë e do të tmerroheni e të trishtoheni edhe në shtëpitë e juaja”.

Ridvan Haqifi, i lindur në fshatin Bukovik më 4 korrik të vitit 1990, në datën kur Amerika feston “ditën e saj” një nga armiqtë kryesor të ISIS-it.

Haqifi, bashkë me Lavdrim Muhaxherin nga Kaçaniku, ishin xhematë (pasues) të imamit kontrovers kosovar, Zekirja Qazimi.

Haqifi apo i njohur ndryshe si “Al Kosovi”, fillimisht kishte nisur të ligjëronte në xhaminë që e drejtonte imam Qazimi. Ai u bë pasardhës i Lavdrim Muhaxherit në komandat e shqiptarëve. /Insajderi.com