“Kryetarët e komunave nuk i kanë përmbushur as gjysmën e premtimeve”

“Kryetarët e komunave nuk i kanë përmbushur as gjysmën e premtimeve”

Instituti GAP ka publikuar vlerësimin e fundit rreth përmbushjes së premtimeve të kryetarëve të komunave nga zgjedhjet lokale të vitit 2017, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie, ky monitorim përfshin realizimin e premtimeve deri në dhjetor 2020.

“Nga gjithsej 869 premtime të evidentuara nga Instituti GAP në 25 komuna të ndryshme të Kosovës, deri në muajin dhjetor 2020 janë përmbushur 411 premtime, 186 premtime janë realizuar pjesërisht, 158 premtime kanë filluar të përmbushen, ndërsa për 114 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë në përmbushjen e tyre”, thuhet në njoftimin e GAP-it.

Po ashtu, bëhet e ditur se fushat ku më së paku janë përmbushur premtimet janë fusha e urbanizmit, arsimit dhe ajo e kulturës.

Në këtë përditësim nuk është përfshirë komuna e Podujevës, që pati zgjedhje të jashtëzakonshme në nëntor.

“Komunat që nuk është përfshirë kësaj here në përditësim është ajo e Podujevës ku në fund të nëntorit të 2020 janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune. GAP ka monitoruar premtimet e kandidatëve për kryetar komune dhe ka evidentuar se kryetari aktual i kësaj komune ka dhënë 44 premtime në fusha të ndryshme. Instituti GAP bën monitorimin e përmbushjes së premtimeve në 26 nga 38 komunat, ngase 12 nga kryetarët aktual nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore më 2017 (Skenderaj, Mamusha dhe komunat me shumicë serbe)”, thuhet nga GAP./Insajderi.com