Kryetarët e komunave në veri të Kosovës janë takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Franko Federici, të cilët i kanë kërkuar të qëndrojnë neutral, njofton Insajderi.com.
Kështu ka bërë të ditur Lista Serbe me anë të një shkrimi në Facebook, në njoftimin e të cilës thuhet se Federicit i është kërkuar të veprojnë në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të Amerikës.
“Është e nevojshme që për shkak të serisë së incidenteve të shkaktuara nga Forcat Speciale ROSU në ditët e mëparshme, prania e KFOR-it të forcohet në mënyrë që të parandalohen incidente të tilla dhe të ruhet paqja”, thuhet në reagimin e tyre.
“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të përmbahen dhe të mos bien në provokime. Komandanti tha se KFOR-i nuk do të ndërhyjë në çështjet politike ose në largimin e barrikadave me dhunë”.
KFOR po monitoron nga afër situatën e krijuar në veri dhe po punon për të siguruar një mjedis të sigurt.
Kështu thonë nga ky mision përmes një deklarate për media, ku shtohet se gjithashtu është rritur numri dhe kohëzgjatja e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, e veçanërisht në veri të vendit.
“KFOR-i ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, thuhet në deklaratën e KFOR-it. /Insajderi.com