
Kryetarët e Komunave në takimin e së mërkurës me Ministren e Financave, Hykmete Bajrami dhe Ministrin E Pushtetit Lokal, Goran Rakiç, kanë vendosur që të mos e votojnë në Komisionin e Granteve rishikimin e buxheti në kuadër të rishikimit të Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2021-2023 (KASH).
Arsyeja kryesore është që Ministria e Financave ka paraparë shkurtime buxhetore për vitin 2021 në raport me vitin 2020 ne vlerë prej 32.95 milion euro për komuna, njofton Insajderi.
Me shkurtimin e buxheteve komunale do të ndërpriten shumë projekte kapitale të cilat do të ndikojnë në mos-përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Kryetarët konstatuan që 32.95 milion EURO “mund të duken si shumë e vogël parash për nivelin qendror por këto mjete janë shumë për komunat”.
Kryetarët gjithashtu dhanë edhe alternativen sa i përket gjetjes së mjeteve për mbulimin e kësaj shume duke propozuar që dy apo tri projekte të ndërpriten në nivel qendror dhe që ato mjete të dedikohen për komuna.
Pra, Kryetarët e Komunave që janë anëtar në Komisionin e granteve nuk do e votojnë propozimin për shkurtimin e buxheteve komunale gjatë rishikimit të Buxhetit të Kornizës afatmesme të shpenzimeve (KASH) 2021-2023. /Insajderi.com